Qeveria e Malit të Zi planifikon të paraqesë dy amendamente për rezolutën për genocidin në Srebrenicë, të cilat do të votohen në ditët në vijim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Amendamenti i parë thotë se faji për genocid është i individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi.
Në amendamentin e dytë, pohohet parimi i paprekshmërisë së marrëveshjes së përgjithshme në kuadër për paqen në Bosnje dhe Hercegovinë në të gjitha dispozitat e saj. Kryeministri i Malit të Zi, Miljoko Spajic, ka deklaruar se vendi i tij do ta mbështesë rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por nuk do të jetë bashkësponsor i saj.
Në rezolutën e propozuar, 11 Korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995, e cila do të festohet çdo vit. Nga ana tjetër, diplomati rus, Sergej Lavrov tha se qëllimi i rezolutës për Srebrenicën në OKB është të thyejë serbët.
Sipas tij, presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, është i vetmi në BiH që po lufton për parimet e Dejtonit. Ai beson se njohja e Kosovës dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë janë kushte të Brukselit për Serbinë nëse dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Kjo projekt-rezolutë e Kombeve të Bashkuara, e cila e njeh masakrën e Srebrenicës si genocid, ka ngjallur reagime të forta në Serbi dhe Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës. Udhëheqësit e tyre, Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik, kanë paralajmëruar për trazira nëse miratohet.
Klan News