Situata e zjarreve në vend është alarmante, veç Shëngjinit, janë përhapur vatrat dhe në zonën pyjore Bode të Maliqit. Sipërfaqja e djegur me pisha është e konsiderueshme, ndërsa flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta.
Punonjësit e zjarrfikëses po përpiqen ta mbajnë nën kontroll vatrat me mjete rrethanore pasi terreni i thyer malor e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse me mjetet e tyre.
Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu tha se situata është problematike dhe se për shkak të erës dhe terrenit të thyer situata po del jashtë kontrollit.
Gëzim Topçiu, kryetar i Bashkisë Maliq: Është një situatë tejet e vështirë ndaj edhe kemi angazhuar të gjitha forcat e zjarrfikëses të qarkut të Korçës, të cilët dua t’i falënderoj. Punonjësit zjarrfikës të Bashkisë Maliq kanë prej 5 ditësh bashkë me forcat e policisë që punojnë në këtë territor. Situata u stabilizua në momentin e parë, por tani ka dalë pothuajse jashtë kontrollit, po presim orët e vona të natës apo një qetësim të erës dhe të situatës për të ndërhyrë, pasi vërtet situata është për t’u shqetësuar.
Po ashtu vijon “beteja” me flakët edhe në Gjirokastër. Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga Klan News, situata është rënduar pranë Parkut të Viroit.
Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, ushtarake dhe vullnetarë të zonës.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës u ka bërë thirrje qytetarëve të mos luajnë me zjarrin, pasi rrezikohet jeta e tyre.
Flamur Golemi, kryetar i Bashkisë Gjirokastër: Organet ligjzbatuese sigurisht që të çojnë para përgjegjësisë të gjithë këta persona të cilët nuk kanë emër tjetër veçse kriminelë dhe pasi të kalojmë këtë situatë emergjence do të marrim masa qoftë edhe me këta barinj, të cilët i kanë marrë përsipër këto kullota. Boll më me këtë situatë që rrezikon jetën e këtyre forcave të cilët janë në përballje me zjarrin për më shumë se 24 orë, por edhe të gjithë banorëve dhe qytetarëve.
Një tjetër zjarr i përmasave te mëdha përfshiu këtë martë një sipërfaqe te mbjelle me ullinj ne afërsi te fshatit Kanine të Vlorës, ku u rrezikuan edhe dy banesa.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët u vunë nën kontroll, teksa mbeten ende disa vatra të vogla të ndezura.
Në gjithë vendin Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 20 vatra zjarri, nga të cilat 13 janë shuar, ndërsa 7 prej tyre janë ende aktive.
Klan News