Pas 119 vitesh, Manchester United është gati për t’u zhvendosur nga Old Trafford. “Djajtë e kuq” kanë vendosur për të ndërtuar një stadium të ri në të njëjtin vend me impiantin ikonik.

Një projekt që do të jetë më i madhi në futbollin e Mbretërisë së Bashkuar për të tejkaluar edhe “Wembleyn” aktual. Sipas zyrtarëve të klubit, stadiumi do ketë një kapacitet prej 100 mijë vendesh, ndërsa do të kushtojë rreth 2 miliardë Paund.

Shtëpia e re e United do të ndërtohet pranë stadiumit ekzistues si pjesa qendrore e një zone të rigjeneruar në “Old Trafford”, për të cilën klubi pranon se mund të rrisë ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar me 7.3 miliardë Paund në vit, të krijojë mbi 92,000 vende pune dhe të tërheqë 1.8 milionë vizitorë shtesë në vit.

Stadiumi “Old Trafford” ka qënë temë e përsëritur në vitet e fundit në Angli. Hyrja e ujit në tribunat e stadiumit dhe ndërprerja e konferencave të shtypit ka shkaktuar kritika për gjendjen infrastrukturore të tij.

Ndërtimi i stadiumit të ri pritet të zgjas për 5 vite, me Manchester United që të ketë kështu shtëpinë e re për sezonin 2030-2031.

Klan News