Komisioni Evropian prezantoi një propozim që ka të bëjë me një sistem të përbashkët për emigracionin mes vendeve të BE.

Sipas këtij plani, të gjithë emigrantët që kanë hyrë ilegalisht në një nga shtetet e unionit mund të transferohen në vende të treta jashtë BE-së, pasi kanë marrë një refuzim të kërkesës për azil.

Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE puna legjislative për aprovimin e propozimit e për të bërë modifikimet e mundshme.

Sipas Komisionerit për Emigrimin dhe Punët e Brendshme Magnus Brunner, bëhet fjale për një mundësi të re plotësisht ndryshe nga modeli Ruanda, që qeveria britanike nuk arriti kurrë të aplikojë për të deportuar emigrantët e paligjshëm.

Por po kështu ky model është ndryshe edhe nga protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë që deri më tani ka deshtuar në tre tentativat për të mbajtur emigrantët në kampin e Gjadrit, edhe pse në këtë rast kishin te drejtën e kërkesës për azil.

Sipas Komisionit Evropian, ky model do të aplikohet vetëm për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil ose ata që kanë marrë një urdhër për dëbim, ka theksuar Brunner.

Shtetet anëtare të BE mund të përpiqen të krijojnë marrëveshje me vende të treta jashtë unionit për të vendosur dhe rënë dakord për qendra eventuale riatdhesimi në territorin e tyre, përfshirë këtu edhe Italinë, e cila tashmë e ka firmosur protokollin me Shqipërinë.

Ideja e një protokolli të tillë, për një politike unike të përbashkët për të gjitha vendet e BE, ishte hedhur si ide edhe më herët nga Presidentja e KE, Ursula Von Der Lyen.

Aktualisht politikat migratore në kontinent konsiderohen të dështuara. Sipas statistikave, 20% vetëm riatdhesohen. Normat e reja do t’i japin instrumentet e duhura vendeve anëtare për t’i bërë riatdhesimet më efikase, në respekt të politikave të të drejtave të njeriut.

Gjithashtu ky protokoll do të jetë i njohur reciprokisht, çka do të thotë se çdo shtet do të njohë dhe respektojë vendimin e një shteti tjetër evropian për dëbimin, pa qenë e nevojshme të ketë praktika dhe procedura të tjera.

Klan News