Paul Pogba ngroh motorrët. Makthi i francezit është gati të marrë fund dhe pas një ndalimi të gjatë për doping, ish-mesfushori i Juventusit po përgatitet të bëjë rikthimin.
Futbollisti 31-vjeçar u pezullua nga shtatori 2023 deri këtë të martë, periudhë nga e cila lojtari mund të bashkohet me një ekip të ri dhe të kthehet në fushë. Agjencia Botërore Anti-Doping e kishte skualifikuar Pogban për katër vite, por një apel në CAS në Lozanë e uli dënimin në 18 muaj.
Me rikthimin e tij gjithnjë e më afër, pritshmëria për të parë Pogban përsëri në fushë po rritet. Francezi nuk ka komunikuar ende ndonjë vendim për të ardhmen e tij, me hapin e vetëm të bërë prej tij që është ndërprerja e kontratës me Juventusin.
Kampioni i Botës është i lirë të nënshkruajë për çdo klub dhe skenari më i mundshëm deri tani është që ai të shkojë në Shtetet e Bashkuara, në MLS. Pogba ka qenë në Miami për të parë ndeshjen e Inter Miami një ekip plot yje si Lionel Messi, Luis Suarez dhe Sergio Busquets dhe gjithashtu kishte një bisedë me David Beckham, një nga pronarët e klubit që do të marrë pjesë në Kupën e ardhshme të Botës për Klube.
Ish-lojtari i Manchester United ëndërron të fitojë një vend në ekipin kombëtar për të qënë i gatshëm në Kupën e Botës 2026. Ndeshja e fundit zyrtare e luajtur nga francezi daton në Shtator të vitit 2023, me fanellën e Juventusit.
Pogba rezultoi pozitiv me substancën e testosteronit, pas një testi të kryer në fund të ndeshjes Udinese-Juventus.