Edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e shpalli vakancën për vendin e kryetares Holta Zaçaj, Gjykata e Lartë njoftoi se hapi garën për zëvendësimin e saj, procedurë që do të përfundojë në 10 Mars të 2025.

Në një njoftim publik, Gjykata e Lartë shprehet se mosshpallja e vakancës nga Gjykata Kushtetuese, nuk e pengon atë që në respektim të detyrimeve ligjore të nisë procedurat për përzgjedhjen e gjyqtarit të ri Kushtetues.

Gjykata e Lartë: Koha e përfundimit të mandatit të gjyqtarit zëvendesues në Mars 2025 është bërë publike në njoftimet e kryera nga Gjykata e Lartë për hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Bazuar në këto njoftime, të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për këtë vend vakant janë informuar për kohëzgjatjen e mandatit.

Por teksa Gjykata e Lartë fton njerëzit e drejtësisë që plotësojnë kriteret për të kandiduar në mënyrë që të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese për një mandat 9-vjeçar, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçja, ka një interpertim tjetër për afatin e përfundimit të mandatit të saj.

Holta Zaçja: Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.

Duke besuar në këtë argument, Zaçja në cilësinë e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, i është drejtuar Komisionit të Venecias për opinion dhe kërkon përgjigje për 4 pyetje. Holta Zaçja u zgjodh si kryetare e Gjykatës Kushtetuese në Janar të vitit 2023 me mandat të pjesshëm, duke plotësuar vakancën e lënë nga Vitore Tusha.

Për shkak të mandateve të pjesshme që u krijuan, me dispozitë kalimtare u vendos që ata që do të zgjidheshin deri në vitin 2022, do të kishin mandat të pjesshëm dhe vetëm nga viti 2025 e deri në vijim do të vijojë ripërtëritja i Gjykatës Kushtetuese çdo 3 vjet, me mandat të plotë 9-vjeçar.

Tv Klan