Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara i hap rrugë mbylljes së Tiktok-ut të dielën, më 19 Janar. Shkalla më e lartë e gjyqësorit amerikan e vlerësoi si në përputhje me parimet e Kushtetutës, ligjin e aprovuar prillin e kaluar në Kongres.

Ligji u jep zgjidhje shqetësimeve se TikTok në pronësi të firmës kineze ByteDance përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Janë hedhur dyshime se Tiktok grabit të dhënat e përdoruesve amerikanë në favor të politikave të qeverisë kineze.

TikTok i ka mohuar kategorikisht këto akuza dhe e dërgoi ligjin për shqyrtim në Gjykatën e Lartë me argumentin se shkel lirinë e fjalës. Megjithatë, gjykatësit thanë se fakti që ligji jep si alternativë shitjen tek firmat amerikane të këtij rrjeti është tregues se ligji nuk e shkel këtë parim.

TikTok refuzoi më herët gjatë kësaj jave shitjet tek kompani amerikane, ndër të cilat edhe rrjeti X, i Elon Musk.

Këshilltarët e Donald Trampit thanë se po shqyrtojnë mundësitë që ndalimi i TikTok të pezullohet me urdhër ekzekutiv, pas 20 Janarit.

Ligji ka shkaktuar indinjatë tek 170 milionë përdoruesit e TikTok në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre janë dyndur në rrjetin tjetër social kinez RedNotes.

Tv Klan