Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga qelia. Përmes avokatit Genc Gjokutaj, Meta ka depozitur një rekurs kundër vendimit të 19 Nëntorit 2024 (të Apelit të Posaçëm) që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Në një prononcim para SPAK, avokati tha se “ligjërisht Meta nuk duhet të qëndrojë në burg”.
“Ka një kallëzim të rremë, dëshmitarë të rremë dhe prova në kundërshtim me ligjin për 3 episodet. I jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për revokimin e masës së arrestit me burg”, u shpreh Gjokutaj për gazetarët.
“Ai ka zgjedhur të përballet me hetimin”, theksoi avokati. Shtoi se Meta është në cilësinë e Presidentit të Partisë së Lirisë dhe duhet ta ushtrojë detyrën e tij, aq më tepër në prag të zgjedhjeve parlamentare.
“Do e vazhdojmë këtë betejë, njëjtë si me zotin Berisha”, përfundoi Gjokutaj.
Më 7 Janar 2025, Meta u pyet për rreth dy orë në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion, ku dha shpjegime lidhur me kontratat e lobimit në SHBA. Ish-Kreu i Shtetit u vu në pranga më 21 Tetor të vitit të shkuar. Prej 3 muajsh qëndron në paraburgim teksa po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
/tvklan.al