Ministri i Shëndetësisë: Të shmangen udhëtimet drejt Italisë
Situata me të prekurit nga koronavirusi në Itali, ka ngritur nivelin e gatishmërisë edhe në Maqedoninë e Veriut. Nga sot, në dy aeroportet, në Shkup dhe Ohër, kontrollohen të gjithë udhëtarët, jo vetëm ata që vijnë nga Stambolli dhe Dubai. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka bërë thirrje që qytetarët t`I shmangin udhëtimet jashtë vendit.
“Dua të bëj thirrje, nëse nuk është e nevojshme, të anulohet të gjitha udhëtimet në rajonin e Italisë Veriore. Sot kontaktuam me Konsullin tonë në Venecia dhe në këtë moment nuk ka shenja se kemi bashkëvendas të prekur apo të sëmurë në Itali”, tha ai.
Në Maqedoninë e Veriut kanë arritur edhe tre punonjës të kompanisë kineze “Sinohidro” dhe siç njoftohet nuk kanë patur simptoma të koronavirusit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se tre spitale të vendit janë në gatishmëri nëse paraqiten raste të këtij virusi në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse paraqitet nevoja, Klinika Infektive në Shtip do të funksionojë si objekt izolimi. Njëjtë do të funksionojnë edhe Spitalet në Veles dhe Gostivar nëse është e nevojshme”.
Ndryshe sipas njoftimeve,rreth 23 mijë qytetarë, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut momentalisht gjenden në rajonet kritike në Itali. Klan M ka komunikuar me një prej tyre.
Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut në bazë të informatave të marra nga Konsullata e Përgjithshme në Venecia, ka njoftuar se nuk janë regjistruar shtetas të sëmurë nga koronavirusi.
Tv Klan