UEFA, ka zbuluar arbitrat që do të vendosin në dy ndeshjet e para të fazës së 1/8-ve.

Në Zvicër-Itali, do të jetë një emër i njohur, si arbitri polak, Szymon Marciniak. Ky gjyqtar, vendosi drejtësi në finalen e Botërorit mes Francës dhe Argjentinës, ndërsa në sezonin e fundit, ishte protagonist i një episodi që shkaktoi polemika të mëdha.

Në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, Bayern Munich, kishte pretendime se u dëmtua nga arbitri në ndeshjen e kthimit ndaj Real Madrid në Spanjë.

Marciniak e ka drejtuar Italinë në dy raste dhe ajo s’ka fituar asnjëherë, ndërsa numëron një humbje 3-1 ndaj Belgjikës në vitin 2015 dhe një barazim 0-0 ndaj Anglisë, në korrik 2022, takim për Ligën e Kombeve.

Asistentë të 43-vjeçarit, do të jenë dy bashkëkombësit e tij, Tomasz Listkiewicz dhe Adam Kupsik, ndërsa arbitër i katërt do të jetë argjentinasi, Facundo Tello.

Në sfidën tjetër, atë mes Gjermanisë dhe Danimarkës, do të vendosë drejtësi një tjetër emër i njohur për futbollin europian. Gjyqtar kryesor në këtë përballje, do të jetë anglezi Michael Oliver.

Ndihmës të tij, do të jenë dy anglezë të tjerë, si Stuart Burt dhe Dan Cook. Arbitër i katërt është boshnjaku Irfan Peljto, ndërsa në VAR anglezi Stuart Attwell.


/tvklan.al