Marco Rubio mori detyrën si Sekretari i Shtetit pasi u betua para zv/presidentit JD Vance. Rubio është nga të parët prej propozimeve të Trump që merr zyrtarisht detyrën.
“Është mundësi e jashtëzakonshme. Jam i nderuar dhe i privilegjuar, e kuptoj përgjegjësinë që më është dhënë dhe dua të falënderoj Presidentin Trump për besimin e tij. Do të punojmë çdo sekondë të ditës që ta ndihmojmë të realizojë axhendën për të cilën e besoi populli amerikan”, tha ai.
Ndër të tjera, Rubio u shpreh se Trump do të vendosë interesat e Amerikës mbi gjithçka.
“Ai do t’i mbajë premtimet. Premtimi kryesor kur vjen puna të politika e huaj është që prioritet i Departamentit Amerikan të Shtetit të jetë SHBA-ja”, shtoi Rubio.
“Çdo gjë që bëjmë duhet të justifikohet nga përgjigja e një prej këtyre tre pyetje: A na bën më të fortë? A na bën më të sigurt? Dhe a na bën më të begatë? Nëse nuk i përgjigjet një prej këtyre tre gjërave, nuk do ta bëjmë”, përfundoi Rubio.
E teksa pritet që Rubio të prezantohet në Departamentin Amerikan të Shtetit, CNN raporton se atje, shumë zyrtarëve të karrierës që shërbejnë në role të larta u është kërkuar të tërhiqen nga postet e tyre.
“Shumica e morën kërkesën para inaugurimit të së hënës. Ata kanë shërbyer në poste të larta si për menaxhimin dhe politikën, ashtu edhe për ndihmës sekretarët e shtetit, thanë burime, dhe janë ndër diplomatët më të lartë në Departamentin e Shtetit”, raporton CNN.
Edhe pse është e zakonshme për një administratë që vjen që të vendosë zyrtarët e saj në rolet e larta, zyrtarët aktualë të karrierës qëndrojnë derisa të emëruarit presin konfirmimin e Senatit. Por kjo sipas CNN ka rritur shqetësimet.
“Ky është pothuajse me siguri hapi i parë drejt një spastrimi të madh dhe marrjes së shërbimit të jashtëm të karrierës”, tha një ish-diplomat i lartë sipas CNN.
Prestigjiozja amerikane ka kërkuar koment nga DASH për këtë çështje. Sipas tyre mes personave që u është kërkuar dorëheqja është edhe John Bass, i cili ka shërbyer si nënsekretar për çështjet politike, pozita e tretë më e lartë në DASH.
Në shënimet e tij të premten para largimit, ish-Sekretari Antony Blinken vlerësoi Bass dhe tha se “nuk ka asnjë oficer më të mirë për Shërbimin e Huaj në këtë gjeneratë se John Bass”.
Ndërkohë Marco Rubio pritet që gjatë së martës t’i drejtohet me një fjalim punonjësve të DASH në zyrat qendrore në Uashington.
*Shënim i shkurtër: Një zyrtar karriere, ndryshe nga një i emëruar politik, është dikush që është ngritur në rangjet e një organizate, veçanërisht një agjencie qeverisëse në SHBA, në vend që të emërohet për një mandat të kufizuar nga një mbajtës i postit politik./tvklan.al