Një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa mbush 90 vjeçe. Të mbledhur mes miqsh, aktorja e mirënjohur ndan emocionet e një jete, por mbi të gjitha të skenës dhe ekranit ku shkëlqeu si aktore. Veç talentit, jeta është edhe një shans që vjen në kohën e duhur, dhe kështu ka qenë edhe për Margaritën.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se Margarita Xhepa është një ikonë e çmuar e këtij kombi që do të mbesë thellë në kujtesën e miliona shqiptarëve.
“Sot feston ditëlindjen një nga margaritarët e gjerdanit tonë të kinemasë me aq shumë kontribute në artin shqiptar. Ky aktivitet sot na rikthen pas në rrugëtimin e saj prej një ylli kinematografie ku çdo vit që kalon i shton më shumë asaj edhe shkëlqimin”.
Nuk munguan urimet nga miqtë dhe kolegët e saj. Zonja e madhe e skenës, e vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, numëron 32 role në kinematografi, 150 role të tjera në teatër.
Ajo mbetet në memorien e shqiptarëve në shumë filma si “Dimri i fundit”, “Koncert në vitin ‘36”, “Apasionata”, “Gjeneral Gramafoni”, etj.
Tv Klan