Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Edhe grupi i quajtur “28” i marinës italiane është angazhuar maksimalisht për të shpëtuar jetën e njerëzve të cilët udhëtonin me gomone në drejtim të Italisë. Tre motovedeta dhe dy helikopterë italianë, kanë marrë pjesë në operacionin për shpëtimin e njerëzve të mbështetur nga një helikopter i NATO-s.

Kapiteni italian:- “Mëngjesin e sotëm një helikopter i NATO-s evidentoi një gomone, nxorëm tre motovedeta për të kuptuar çfarë kishte në këtë gomone, arritëm që në kushte jo të mira, se ishte një erë shumë e fortë, të shpëtonim 11 persona duke i marrë në motovedetën tonë 407. Nga këta 11 persona të gjallë janë të gjithë meshkuj. Nga informacionet në gomone kanë qenë 30 persona, të nisur dje, nuk e dimë nga ku dhe nga këta 30 persona, për fat të keq medohet që në këtë gomone të jenë më shumë se 19 të vdekur, mes tyre dhe dy fëmijë”.

Së bashku me forcat italiane në këtë operacion marrin pjesë edhe forcat tona detare nën drejtimin e shefit të shtabit të forcave detare Faik Xhaferri. Pas një periudhe heshtje, kjo tentativë për transportin e klandestinëve është një sfidë e re e trafikantëve, kundër forcave të përbashkëta kufitare italo-shqiptare./tvklan.al