Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen në një intervistë u shpreh se do të rrëzonte qeverinë e kryeministrit Michel Barnier nëse nuk do të përfshiheshin në buxhetin disa problematika të ngritura nga partia e saj.
“Ajo që është e sigurt është se ne nuk do të pranojmë që fuqia blerëse e francezëve të goditet sërish, duke pasur parasysh atë që po kalojnë sot. Kjo është një vijë e kuqe dhe nëse kjo vijë e kuqe kalohet, ne do të votojmë mosbesimin, po e them në termat më të qartë të mundshëm.”
Le Pen u shpreh se shumica e francezëve duan që mosha e daljes në pension të jetë 62 vjeç dhe partia e saj do ta votojë atë pavarësisht se cili grup parlamentar e propozon.
Kabineti i kryeministrit Michel Barnier do të shqyrtojë përdorimin e një mase të diskutueshme sipas së cilës një ligj mund të miratohet pa votën e asamblesë kombëtare për të miratuar buxhetin e tij për vitin 2025.
Kjo në mënyrë të pashmangshme do të shkaktonte një votë mosbesimi që Tubimi Kombëtar dhe e majta mund të përdorin për të rrëzuar qeverinë. Sulmi vjen ndërsa Prokuroria e Parisit kërkon një ndalim pesë-vjeçar nga postet publike për rolin e Le Pen pasi dyshohet per përvetësimin e fondeve të BE-së.
Klan News