Vetëm pak javë pas gjyqit që ndezi Francën, të dënuarit për abuzimin seksual të Gisele Pelicot tashmë janë të lirë dhe i janë rikthyer jetës normale.
Gjyqi që zgjati për muaj të tërë ka hyrë në historinë e Francës si çështja më famëkeqe e abuzimit seksual dhe u mbyll në dhjetorin e vitit që lamë pas.
Dominique Pelicot që tashmë njihet si “Përbindëshi i Avignon” drogoi, përdhunoi dhe organizoi përdhunimin dhe abuzimin seksual të përsëritur ndaj ish-gruas, Gisele ku morën pjesë dhjetëra burra të tjerë.

Ai bashkë me 50 burra të tjerë u shpallën fajtorë për aktet e kryera ndaj 72-vjeçares përgjatë një dekade. Gjykata shpalli fajtorë 47prej tyre për përdhunim, 2 për tentativë përdhunimi dhe 2 për sulm seksual. Dënimi i tyre arriti në një total prej 600 vjetësh.
Por 6 prej tyre u liruan në dhjetor për shkak të problemeve shëndetësore ose sepse e kishin kryer dënimin në paraburgim. Shumë prej atyre që janë liruar kanë vazhduar jetën aty ku e kishin lënë para gjyqit.
Sunday Times raporton se njëri që ishte mirëpritur në familjen e tij, tashmë është rikthyer edhe në punën e mëparshme.
Sipas sistemit francez për lirinë me kusht, të burgosurit mund të kërkojnë lirim të parakohshëm nëse kanë kryer gjysmën e dënimit ose në disa raste një të tretën dhe janë shumë të ndryshueshëm nëse i dënuari është mbi 70 vjeç, ka shfaqur një sjellje të mirë ose ka një shtëpi ku mund të rikthehet.

Në një nga rastet, njëri prej tyre kreu 11 muaj nga dënimi 5-vjeçar për përdhunim, sipas dokumenteve të gjykatës që Sunday Times ka parë.
Megjithatë, një pjesë e abuzuesve ia kanë mbathur drejtësisë sepse policia nuk arriti të identifikonte më shumë se 20 persona të përfshirë.
Gisele është kthyer në një ikonë në Francë për faktin që nuk pranoi të drejtën e anonimatit dhe e ndoqi gjyqin për tre muaj rresht duke i parë të pandehurit në fytyrë ndërsa secili prej tyre rrëfente veprën e tij.
Momentin kur ajo foli për herë të parë, u kthye në një simbol për viktimat e përdhunimit duke u shprehur: “Turpi duhet të ndryshojë anë”./tvklan.al