Serbia do përdorë liqenin e Ujmanit
Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar të premten në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia zotohen të vazhdojnë përpara me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Nga dokumenti i firmosur edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump është hequr pika e debatuar më herët për njohjen reciproke mes dy vendeve, ndërsa të gjithë çështjet e tjera trajtojnë çështje të karakterit ekonomik.
Sipas kësaj marrëveshje, të dyja palët angazhohen të implementojnë marrëveshjen e nënshkruar më 4 Shkurt 2020 për autostradën Prishtinë-Beograd, e cilësuar në këtë dokument edhe si autostrada e paqes.
Gjithashtu Kosova dhe Serbia zotohen të gjejnë zgjidhje të përbashkët për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore me qasje në Detin Adriatik ndërsa duhet të mbështesin njëra tjetrën për kredi në ndërmarrje të vogla dhe të mesme.
Një tjetër pikë për të cilat të dyja vendet kanë rënë dakord në këtë dokument është që të hapin dhe funksionalizojnë pikën e përbashkët kufitare në Merdare.
Pavarësisht kontestimit me forcë nga ana e AAK-së, në këtë marrëveshje ekziston edhe pika ku palët pajtohen për përdorimin e përbashkët i liqenit të Ujmanit që gjendet në veri të Kosovës, për të cilën pikë kryeministri Hoti ka dhënë detaje në një konferencë për media të mbajtur në Washington.
Kosova bie gjithashtu dakord që të bashkohet në zonën Minishengen, e njohur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia, të cilën e kishte refuzuar për një kohë të gjatë të jetë pjesë e saj duke e konsideruar si të dëmshme.
Si pikë tjetër e rëndësishme është që Kosova do të pranojë të heq dorë ndaj kërkesave në organizata ndërkombëtare për një vit, ndërsa Serbia do të heqë dorë për një vit nga fushata e saj për çnjohje të Kosovës.
Të dyja palët do të njohin reciprokisht diplomat dhe certifikatat profesionale, si nuk do të blejnë pajisje 5G.
Tv Klan