Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet kundër marrëveshjes së nënshkruar një ditë më parë në Washington mes Kosovës dhe Serbisë. Në një postim në mediat sociale, Kurti shkruan se marrëveshja e djeshme nuk mund të quhet arritje për delegacionin e Kosovës.

Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre”, shprehet ai. Kurti shton se detyrimi i Kosovës dhe Serbisë që të jenë pjesë e Minishengenit, nuk është në favor të vendit, pasi shton se “të gjithë në rajonin tonë janë të vetëdijshëm që Minishengeni ndihmon hegjemoninë e Serbisë në këtë pjesë të Evropës”.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje hedh dhe akuza kundër delegacionit të Kosovës, duke u shprehur se harruan krimet serbe të bëra gjatë luftës. Në reagimin e tij, Kurti shprehet se në rrafshin ndërkombëtar mes Serbisë e Kosovës, Serbia po fiton gjithçka që synoi, ndërsa Kosova asgjë.

Në rrafshin ekonomik sërish Serbia fiton më shumë, duke ju pranuar pozita e hegjemonit në rajon, kalim e tregti të lirë në Kosovë, dalje në det etj”, thotë ish-kreu i qeverisë. Në fund shprehet se Kosova shkoi në SHBA për njohje, por nuk u arrit një gjë e tillë pasi sipas tij delegacioni nuk ishte këmbëngulës.

Reagimi i ish-kryeministrit të Kosovës vjen një ditë pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike./tvklan.al