4 anëtarët e familjes më të pasur në Mbretërinë e Bashkuar udhëtojnë shpesh në Zvicër. Kjo sepse ata zotërojnë një vilë në lagjen më luksoze të Gjenevës. Familja Hinduja, për të cilën mbase pak dijmë, ka një pasuri marramendëse. Plot 37 bilion paund ose 47 bilion dollarë!
Por ajo që mediat britanike kanë në fokus së fundmi janë akuzat ndaj tyre për trafikim të qenieve njerëzore, pikërisht në Gjenevë. Por pse janë ngritur këto akuza kaq të rënda për ta?
Dyshimet kanë nisur pikërisht prej praktikës së tyre të çuditshme, gjithnjë marrin shërbëtorë nga India. Thuhet se çifti Prakash e Kamal Hinduja, bashkë me djalin e tyre Ajay dhe nusen Namrata kanë konfiskuar pasaportat e stafit të tyre në Gjenevë dhe i paguajnë vetëm 7 paund për 18 orë punë. Ata i kufizojnë dhe të dalin nga shtëpia kur ky orar përfundon.
Ata i kanë mohuar akuzat, ndërkohë që këtë javë një nga gjykatësit më të njohur në Gjenevë Yves Bertossa ka krahasuar shpenzimet e familjes për qenin me pagën që u jepet punonjësve.
“10 mijë dollarë në vit vetëm për qenin”, ka deklaruar ai. Ndërkohë, avokatët e familjes Hinduja pretenduan se punonjësit kanë të siguruar ushqimin dhe fjetjen. Por fakti që këta të fundit nuk mund të lënë shtëpinë pa lejen e pronarëve, i bën hetuesit të thellohen akoma më shumë në këtë çështje. Bertossa ka folur dhe për një dënim të mundshëm, madje dhe kompensim financiar.
“Ana e errët e Gjenevës”
Raste të tilla janë thuajse të zakonshme në Gjenevë. Në 2008-ën, Hannibal Gaddafi, djali i diktatorit libanez Muammar Gaddafi u arrestua në një hotel me 5 yje pasi u denoncua bashkë me të shoqen. Ai kishte ushtruar dhunë ndaj shërbëtorëve të tij. Çështja u pezullua më vonë, por shkaktoi një “ngërç” të madh diplomatik mes Zvicrës dhe Libisë.
Vetëm vitin e shkuar, 4 punonjës nga Filipinet hodhën akuza ndaj një diplomati amerikan me mision në Gjenevë. Ata pretenduan se ai nuk i kishte paguar për vite me radhë.
Megjithatë, “rasti Hinduja” e ka rrëmbyer gjithë vëmendjen, për të treguar edhe një herë anën e errët, të shëmtuar të një qyteti që të gjithë e cilësojnë “qyteti i paqes”.
E.D/tvklan.al