Në Durrës është në rritje numri i divorceve. Sipas avokatëve, pjesa më e madhe e rasteve janë shqiptarë që jetojnë në emigracion.

“Një zgjidhje martese në Shqipëri në aspektin ekonomik është më i lirë sesa në vendet e huaja në vendet e Bashkimit Europian, apo dhe në Amerikë, në Kanada, kemi pasur raste të ngjashme dhe së dyti dhe nëse ata do ta bëjnë në një vend të huaj janë përsëri të detyruar në bazë të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë që një zgjidhje martese kryer në një vend të huaj të vijë dhe të njihet, t’i jepet fuqi këtij vendimi të huaj në Gjykatën e Apelit në Republikën e Shqipërisë”, shprehet avokatja Ingrida Mustafa.

Në të shumtën e rasteve janë gratë ato që kërkojnë zgjidhje të martesës ndërsa ka disa faktorë.

“Në përgjithësi burrat janë konsumues të pijeve alkoolike, të bixhozit dhe kjo sjell që familja e tyre të ketë probleme, të ketë vështirësi ekonomike dhe gratë kërkojnë zgjidhjen e martesës këtu në Shqipëri. Ndërkohë nga rastet që kemi të bëjmë me shtetas shqiptar që jetojnë në vendin tonë, faktorë kryesorë padiskutim është faktor ekonomik, është faktori i tradhtisë”, thotë Mustafa.    

Gjatë vitit 2024 në Gjykatën e Durrësit janë regjistruar 662 padi për divorc, ndërsa një pjesë e tyre janë ende në shqyrtim. Sipas të dhënave, gjatë dy viteve të fundit numri i kërkesave ka arritur në 1342 duke e renditur Durrësin ndër rajonet me shifrat më të larta në rang vendi.

Klan News