Pas thuajse një viti, ditën e djeshme janë bërë publike rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave në gjithë territorin shqiptar. Sipas rezultateve të këtij Censi, 2.4 milionë është numri total i banorëve në territorin shqiptar.

Për të folur lidhur me këto rezultate i ftuar sot në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ishte sociologu Gëzim Tushi i cili u shpreh se edhe pse ekziston një lloj mosbesimi me shifrat thekson se marzhi i gabimit mund të jetë i ulët, por i afrohet të vërtetës.

Ndër të tjera sociologu tha se nga analizat e tij ka evidentuar se tre janë shkaqet kryesore që shoqëria shqiptare është në këtë gjendje.

Aldo: Ekziston një lloj mosbesimi, ‘ja kanë fut kot se nuk jemi aq’. A bën sens ky lloj paragjykimi apo është menaxhim i politikës?

Gëzim Tushi: Zakonisht unë si sociolog them që numrat nuk gënjejnë, por statistikat gënjejnë, domethënë varet se si i përdor numrat. Unë uroj që.. censuset nuk janë gjithmonë precize sepse që tani kanë dalë njerëz që thonë mua nuk më kanë numëruar, por marzhi i gabimit është i ulët. Sidoqoftë ne jemi të bindur që këto rezultate janë aproksimative, por i afrohen të vërtetës. Unë mendoj që kemi të bëjmë me një dokument sintetik që ka të sintetizuara situata sociale të shoqërisë shqiptare dhe kjo duhet parë, pra përtej asaj që ka të bëjë me shifra ne duhet të shohim se çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare. Unë gjykoj që shifrat tregojnë që shoqëria shqiptare në këto vite ka pësuar dobësime.

Besoj që nga analiza janë tre shkaqe kryesore që është kjo situatë. E para është emigracioni dhe padiskutim mbetet…Nga 3.2 milionë që kemi qenë në ’89 kemi arritur në 2.4 milionë, pra kemi humbur. Ose nga 2.8 që kemi qenë në vitin 2011 kemi shkuar në 2.4, kemi humbur 400 mijë banorë që do të thotë që është një nga shkaqet pikërisht emigracioni.

Faktori i dytë është plakja e popullsisë. Unë jam tronditur si sociolog, nuk e besoja kurrë që të kishim arritur sot në 42.5 vjeç mosha mesatare e popullsisë. Është alarmante. Pak vende europiane e kanë këtë. Në shoqërinë shqiptare po i afrohemi asaj që më shumë do të vdesin se sa do të lindin.

Fenomeni i tretë është migracioni i brendshëm. Ne nuk e vlerësojmë, por Shqipëria po zhbalancohet strukturalisht nga pikëpamja ekonomike dhe demografike. Ka një dyndje urbane në këto qytetet e mëdha metropolitane ku janë grumbulluar. Katër qytete janë që kanë shumicën e popullsisë që nga Tirana me 32% të popullësisë, Elbasani, Durrësi edhe një qytet tjetër që nuk po më kujtohet dhe pastaj gjithë qytetet e tjera deri te Kukësi që është me 3% të popullsisë.

Sociologu Gëzim Tushi theksoi që këto tre fenomene janë shqetësuese për shoqërinë shqiptare dhe se duhen politika mbështetëse për të ulur ndikimin e tyre./tvklan.al