Siguria në shkolla ka qenë në fokusin e takimit të organizuar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, me 12 prefektët e qarqeve të Shqipërisë.

Ministri i Brendshëm tha pas takimit se ka vënë theksin në zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla dhe për masat emergjente që duhen marrë në koordinim me policinë, prefekturën dhe strukturat e tjera shtetërore.

“Sot, në qarkun Fier, kemi pasur një ngjarje e cila, për fat të mirë, nga ana e policisë është arritur të identifikohet dhe të zbardhet në një kohë të shpejtë. Siç edhe ju e dini, kryeministri është tashmë në një konsultim publik për sa i përket çështjes dhe paketës së sigurisë në shkolla. Shumë shpejt, qeveria shqiptare do të aplikojë sistemin “Smart City”, i cili do të rrisë sigurinë në mjediset shkollore dhe ambientet përreth tyre”.

Ministri, për ngjarjen e cilësuar si masakra e Dobraçit, tha se shume shpejt policia do të dalë me një deklaratë dhe me emra konkretë për autorët e implikuar.

“Në Shkodër, u zhvilluan kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të implikuar në ngjarje të rënda kriminale. Për emrat duhet të presim deklaratat shumë shpejt, edhe për emrat e implikuar në ngjarjen e Dobraçit”.

Më 30 tetor, Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, u ekzekutua në vend, ndërsa Arlind Bushati, ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës. Kalimtarja Flutura Basha, e cila po lëvizte me motor bashkë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, gjithashtu u vra në sulm. Bashkëshorti i saj ndërroi jetë 3 ditë më pas në spital.

Sa i përket konkursit për shefat të rinj të komisariateve, Hoxha tha se mënyra e përzgjedhjes së procesit do të jetë e ngjashme me atë të drejtorëve të qarqeve dhe se shumë shpejt 48 oficerët do të jenë në detyrë.

Tv Klan