Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, tha përballë deputetëve në Komisionin e Sigurisë se për ngjarjen e Shkodrës së shpejti do të ketë rezultate konkrete, në drejtim të zbardhjes së saj. Duke pranuar se ngjarja ishte shumë e rëndë, ai shtoi se situata me krimin është problematike në disa qytete.
“Unë jam qytetarë vetë dhe më duhet të pranoj që ngjarja në Shkodër ishte shumë e rëndë, por ajo ndodhi dhe tashmë duhet të përballemi me të. Unë mund t’ju them me garanci se shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate konkrete”.
Kryepolici pranoi se oficerët e Policisë Kriminale kanë mungesa të theksuara profesionale.
“Këtë vit është bërë një risi, hapja e akademisë së policisë… Flasim për mungesa të theksuar të aftësive profesionale të oficerëve që punojnë në Policinë Kriminale. Kjo është një gjë e vërtetë dhe unë nuk mund të vij si struci dhe të fshihem”.
Ilir Proda raportoi mbi nevojat e buxhetit që ka Policia e Shtetit dhe tha se strukturës do t’i shtohen edhe 500 efektivë të tjerë.
Tv Klan