Adoleshentët pranojnë krimin, braktisen nga familjarët
Tre të arrestuarit për vrasjen e 50-vjeçares Drita Saliaj që u gjet e mbytur në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër do të hetohen nën masën e arrestit me burg.
Paraditen e së shtunës, ata kanë dalë përballë Gjykatës së Fierit nën masa të rrepta sigurie ku janë njohur me masën e sigurisë. 16-vjeçarët Luis Saliaj dhe Sindi Shehaj mësohet se kanë pranuar krimin përballë togave të zeza, ndërsa 26-vjeçari Ervis Zotaj e ka mohuar duke thënë se nuk ka qenë i pranishëm në momentin e vrasjes.
Tre të arrestuarit janë braktisur nga familjarët e tyre pasi nuk kanë qenë prezent në sallën e gjyqit. Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e 5 Janarit, teksa 3 të arrestuarit tentuan të grabisnin banesën e 50-vjeçares, por hasën në rezistencën e kësaj të fundit.
Por pasi e goditën të zonjën e shtëpisë, e hodhën trupin në rezervuarin e fshatit. Ngjarja ka tronditur mbarë opinionin publik, ndërsa familjarët e autorëve kanë kërkuar dënim maksimal për fëmijët e tyre. Një prej autorëve të dyshuar, Luis Saliaj është edhe nipi i bashkëshortit të viktimës.
Tv Klan