Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore të re për institucionet financiare jobanka, për mbrojtjen e qytetarëve, nisur nga zbulimi i skandaleve me skemat e mashtrimit me mikrokredite nga institucionet jo banka.
Siç vihet re nga dokumenti këto ndryshime synojnë të plotësojnë më tej bazën rregullative për subjektet financiare jobanka, kryesisht për rastet pas revokimit të licencës, por jo vetëm, që lidhen dhe shoqërojnë gamën e gjerë të proceseve gjatë likuidimit të portofoleve të tyre të kredive, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore.
Ndër të tjera në rregulloren e re thuhet se likuidimi nuk zbatohet në rastet kur subjektit financiar jobankë i është revokuar licenca me kërkesën e tij dhe nuk ka portofol kredish në bilancin e vet, ose për arsye se nuk ka ushtruar aktivitetin për të cilin është licencuar, ose aktiviteti i tij është në një masë të tillë, sipas përcaktimeve të Bankës së Shqipërisë, që nuk përbën rrezik për të drejtat e kredimarrësve.
Pas vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për revokimin e licencave të dy institucioneve financiare jobanka, MicroCredit Albania dhe Final, po kontrollohen portofolet e klientëve dhe një numër i madh kredish performuese do të kthehen në sistemin bankar, ndërsa me kreditë e tjera do të punojë likuidatori.
Lidhur me këto çështje edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka mbështetur në vitin 2015 planin e autoriteteve shqiptare, për uljen e raportit të kredive me probleme. Si pjesë e këtij plani, Banka e Shqipërisë mori mandat ligjor për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve të mbledhjes së kredive me probleme.
Gjatë muajit Maj, Prokuroria e Tiranës njoftoi zyrtarisht hapjen e procedimit për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ për institucionet jobanka të përfshira në mashtrim.
Klan News