Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi pozitivisht situatën ekonomike të vendit dhe politikat fiskale të ndërmarra. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anke Weber në konferencën e dhënë në përmbyllje të këtij misioni, deklaroi se parashikohet që rritja reale e PBB-së për Shqipërinë, për këtë vit të jetë 3.6 %.
“Politikat e kujdesshme fiskale kanë kontribuar në një ulje të konsiderueshme të borxhit publik. Vlerësimi i lekut dhe rënia e çmimeve globale të mallrave e kanë lehtësuar disi inflacionin. Ne parashikojmë rritje reale të PBB-së me 3.6%, këtë vit, mes më të lartave në Europë. Duhet të rinisin përpjekjet për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar, krah heqjes së normës tatimore zero për bizneset e vogla.”
Në këtë konferencë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u ndal tek projeksionet ekonomike për të ardhmen që sipas tij mbeten pozitive.
“Rritja ekonomike pritet të rezultojë në intervalin 3.5-4% gjatë vitit aktual dhe të qëndrojë në linjë me potencialin gjatë viteve të ardhshme. Paralelisht me të, inflacioni pritet të mbetet i ulët dhe nën kontroll, duke u kthyer pranë objektivit tonë prej 3% gjatë vitit 2025.”
Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj tha se rivlerësimi i pasurive të paluajtshme u bë për shkak se duhet të përcaktohen çmimet e referencës për të gjtha bashkitë, përveç Tiranës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në përmbyllje të misionit të radhës mbikëqyrës në kuadër të Artikullit IV do të nxjerrë shumë shpejt edhe gjetjet nga konsultimet e bëra në vendin tonë.
Tv Klan