Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmon se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë dhe financiarë të vendit. Ky vlerësim u bë i ditur nga shefja e FMN-së për Shqipërinë, Anke Weber gjatë një takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi u vu theksi tek rënia e inflacionit në tremujorin e dytë të 2024, i diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas.
Si Sejko ashtu edhe Weber nënvizuan rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës ekonomike dhe financiare, si dhe të koordinimit të kujdesshëm të politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.
Gjithashtu në përmbyllje të vizitës së Misionit të FMN-së në Shqipëri, shefja Anke Weber u takua edhe me ministrin e Financave, Ervin Mete ku biseduan për ecurinë e ekonomisë dhe treguesit kryesorë makroekonomikë, duke vlerësuar se përgjithësisht situata makrofiskale paraqitet e qëndrueshme dhe pritshmëritë për rritjen e mëtejshme ekonomike janë pozitive.
Mete risolli në vëmendje nivelin e mbledhjes së të ardhurave që ka vijuar të jetë pozitiv, ku për periudhën 5-mujore të 2024 ato arritën në rreth 287.1 miliardë Lekë, ose 11.2% më shumë se 5-mujori i vitit 2023, ndërkohë që në fund të vitit parashikohen të arrijnë për herë të parë në 28.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Klan News