E përlotur e mbylli fjalimin në Downing Street, kryeministrja britanike Theresa May, aty ku njoftoi dorëheqjen pasi dështoi në përpjekjet e saj për të përmbyllur me sukses shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Një dështim që mbetet pengu i saj më i madh, që nuk gjeti konsensusin e shumicës së deputetëve.
“Bëra gjithçka për të bindur deputetët që të mbështesnin marrëveshjen. Për këtë do të ndjej gjithmonë keqardhje, që nuk munda të zgjidh Brexitin”.
May tha se do të paraqesë dorëheqjen si drejtuese e konservatorëve më 7 Qershor dhe do të qëndrojë si Kryeministre derisa kongresi i partisë së saj, të zgjedhë një drejtues të ri. Pasardhësi i saj që do të ketë sfidën e vështirë të gjejë një zgjidhje për ngërçin e Brexitit.
Mes pretendentëve për të pasuar Mayn është edhe ish-kryediplomati Boris Johnson, kundërshtari më i fortë i marrëveshjes që Kryeministrja arriti me Brukselin dhe që parlamenti e refuzoi tre herë.
Bashkimi Europian e refuzon rinegocimin e marrëveshjes, ndërsa afati i daljes së Britanisë është shtyrë për më 31 Tetor. Deri atëherë, parlamenti duhet të vendosë për një referendum të dytë, ose zgjedhje të parakohshme siç propozoi kryeopozitari Jeremy Corbyn.
Tv Klan