Mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë nënshkruar në Berlin këtë të hënë 2 marrëveshje të reja.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, Edi Rama, Albin Kurti, Millojko Spajiç, Borjana Christo, Hristian Mickovski dhe Millosh Vuçeviç kanë vendosur firmat për dy deklarata që synojnë bashkëpunimin rajonal.
Një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësitë e studimit për të rinjtë.
Nënshkrimi i marrëveshjes së parë i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj pasi deri më tani është përfaqësuar nga UMNIK-u.
Vetë Kancelari gjerman, në fjalën hyrëse të samitit, foli për rëndësinë që ka normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për të ardhmen europiane të gjithë rajonit.
“Ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj ende ndikohet nga konfliktet e së kaluarës. Por tani është koha që sytë të drejtohen drejt të ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës. Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në Bashkimin Evropian. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje, dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë. Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për t’u pajtuar në mënyrë paqësore. Për këtë qëndron Procesi i Berlinit”.
Nisma e Procesit të Berlinit këtë vite mbush një dekadë që ka marrë jetë.
Marrëveshja me e rëndësishme e kësaj nisme, ajo për lëvizjen e lirë brenda rajonit, nuk ka gjetur zbatim në të 6 vendet, pasi Bosnja nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje me Kosovën, ndaj mes dy vendeve lëvizet ende me viza.
Albin Kurti, në Berlin ka deklaruar se nga 1 Janari Kosova do ta liberalizojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen me Bosnjen.
Në 10 vite, një nga arritjet e Procesit të Berlinit është zbatimi prej dy vitesh i marrëveshjes për heqjen e Roamingut në të 6 shtetet ballkanike.
Tv Klan