Në Maqedoninë e Veriut do të mbahet këtë të martë seanca konstituive e Kuvendit. Kjo seancë pritet të nisë në orën 11:00 dhe do të drejtohet nga deputetja më e moshuar e përbërjes së re parlamentare, Merita Kollçi Koxhaxhiku. 4 janë pikat në rendin e ditës.
Sipas asaj që shkruan Klan Macedonia, pasi të konstatohet kuorumi do të zgjidhet përbërja e Komisionit Verifikues të Kuvendit, me propozimin e të cilit Kuvendi verifikon më pas mandatet e deputetëve. Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit, Komisioni Verifikues dorëzon raport për çdo deputet dhe më pas i njëjti votohet.
Pas kësaj, deputetët do të zgjedhin përbërjen e Komisionit për Çështje Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Në fund deputetët do të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.
Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive mund të zgjasë deri në 3 ditë. Kuvendi llogaritet i konstituuar me zgjedhjet e kryetarit.
10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e shtetit është e detyruar që ta japë mandatin për formimin e qeverisë. Mandatari, në afat prej 20 ditësh duhet të dorëzojë në Kuvend programin qeveritar dhe propozimin e përbërjes qeveritare. Më pas bëhet votimi në Kuvend me minimum 61 vota./tvklan.al