Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka caktuar për më 28 Maj seancën konstituive të parlamentit të ri. Në përbërjen e re, VMRO – DPMNE do të ketë numrin më të madh të deputetëve, por sërish të pamjaftueshëm për të bërë e vetme shumicën e nevojshme parlamentare për të qeverisur e vetme.

Ndaj VMRO – DPMNE po vazhdon negociatat me koalicionin VLEN të partive opozitare shqiptare. Sipas deklaratave të përfaqësuesve të VMRO – DPMNE-së, së shpejti do të bëhet e ditur arritja e një marrëveshje përfundimtare qeveritare.

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski, i cili është pjesë e grupit punues të VMRO-DPMNE-së për negociatat për qeverinë e re, mbrëmë ka njoftuar se palët janë afër marrëveshjes përfundimtare me VLEN, por nuk ka dhënë detaje.

“Ekziston një bindje te BDI-ja se ende në njëfarë mënyre VMRO – DPMNE dëshiron të bëjë koalicion me to. Kjo është absolutisht e pavërtetë. Do të formojmë qeveri reformuese me opozitën shqiptare. Jemi shumë afër marrëveshjes, ende nuk është arritur marrëveshja përfundimtare, por e konfirmoj se është e sigurt se jemi afër marrëveshjes përfundimtare me koalicionin VLEN”.

Sa i përket numrit të deputetëve, ai tha se ka gjasa që koalicioni qeveritar të ketë edhe 80 deputetë. VMRO – DPMNE beson se, deri në fund të Qershorit do të formohet qeveria e re.

Tv Klan