Anija turke, “Moliva”, që transportonte 102 kontenjerë mbetje, të cilat dyshohet të jenë të rrezikshme, u ankorua mëngjesin e së hënës në radën e portit të Durrësit. Sipas një vendimi të Prokurorisë së Durrësit, kontejnerët u sekuestruan menjëherë sapo anija mbërriti në port.

Urdhri i sekuestros parashikon që ato të mos hapen dhe të depozitohen në një vend të sigurt, duke garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike nëpërmjet monitorimit 24 orë nga kamerat.

Ngarkesa dyshohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, e nisur nga Shqipëria në Korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën, e cila e refuzoi atë pas sinjalizimit nga organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” me qendër në Seattle, SHBA.

Në Durrës mbërriti edhe përfaqësuesi i kësaj organizate, Jim Puckett, i cili e cilësoi vendimin e Prokurorisë si një hap pozitiv, por kërkoi që mbetjet të ruhen mirë, duke lejuar marrjen e mostrave për analizë në tre laboratorë të ndryshëm.

Jim Puckett – Themelues dhe Drejtor i Rrjetit të Aksionit të Bazelit: Gjëja e parë që duhet bërë është që hapja e kontejnerëve të bëhet publikisht, që nga thyerja e vulave, të merren mostrat dhe ne jemi këtu për t’i thënë Ministrisë së Mjedisit dhe Prokurorisë që është normale që t’i ndani mostrat me organe të pavarura dhe ne jemi këtu për të marrë mostra nga anija. Ata t’i dërgojnë gjithashtu në institucione të pavarura që të bëhet një testim i qenësishëm në laboratorë.

“Rrjeti i Bazelit” thotë se problemi me mbetejet duhet të zgjidhet nga vetë shteti.

Jim Puckett – Themelues dhe Drejtor i Rrjetit të Aksionit të Bazelit: Niveli i mbetjeve që ka dalë nga Shqipëria është përtej niveleve të lejuara e ne besojmë që ky eksportim ngarkesash është dëm për bujqësisë dhe mjedisin. Kur industria ka probleme me mbetjet zgjidhja nuk është eksportimi por duhet zgjidhur këto në shtëpi.  

Pluhuri dyshohet se përmban përqindje të lartë metalesh si arsenik, plumb dhe krom, si dhe mbetje të tjera kimike që rrezikojnë shëndetin e popullatës.

Tv Klan