Prezantuesi i madh italian Pippo Baudo mbërrin në Tiranë. Pas disa lidhjeve të drejtpërdrejta televizive midis “Të dielës Shqiptare” në televizionin Klan dhe “Domenika In” në Rai përgjatë këtij sezoni televiziv dhe i ftuar nga Ardit Gjebrea, për të qenë pjesë e ditës finale “Të së dielës shqiptare”, Baudo me të mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” na rrëfeu, se kjo i duket diçka mjaft argëtuese, simpatike dhe e bukur, sidomos kur realizohet midis kolegësh të vendeve të ndryshme dhe miqve.
Pippo Baudo është i ftuari special i “Të dielës shqiptare”, i njohur nga telespektatori ynë, si prezantues dhe drejtues artistik ndër vite i festivalit të këngës italiane “Sannremos”, por edhe shumë spektakleve të tjerë, mes të cilëve “Domenica In”.
Pippo Baudo: “Herën e parë që erdha këtu klima ishte krejt ndryshe, Shqipëria dilte nga një krize e madhe. Unë performova atëherë në teatrin Tiranës në piano. Ka qenë një mbrëmje e paharrueshme, ishte shumë sentimentale dhe e mbushur me pasion. Ndërsa tani që kemi krijuar këtë lidhje me Arditin, mësova për ekzistencën e emisionit paralel me “Domenica In” në Shqipëri dhe pasi ai më kërkoi të vija për të mbyllur emisionin mu duk diçka simpatike. Në Sanremo kam patur një këngëtaren tuaj për tre vjet Elsa Lila, shumë e zonja dhe e dija që festivali ndiqej nëe anët tuaja dhe në mënyrë të tërthortë më kanë treguar se prania ime në televizor ka kontribuar për t’i mësuar italishten shqiptarëve.”
Pippo Baudo tregon se pret të shikojë shumë ndryshime, që nga hera e parë që ka qenë në vendin tonë.
Pippo Baudo: “Demokracia tashmë është e konsoliduar në Shqipëri. Mendoj se edhe pse sot ne jetojmë në një krizë të përgjithshme ekonomike, Shqipëria ka shënuar rritje në çështjet industriale dhe financiare.”
Për herë të parë në botën shqiptare të spektaklit, Pippo Baudo një ndër prezantuesit që ka bërë histori në televizionet e shtetit fqinj, do të jetë pjesë si i ftuar i veçantë i “Të dielës shqiptare”për t’i dhuruar të gjithëve së bashku me Ardit Gjebrean, show dhe emocione live, këtë herë jo nga Rai, por nga Televizioni Kombëtar Klan./tvklan.al
Gazetare: Daniela Kostandini