Shqipëria do të mbyllë aksesin në plaftormën sociale TikTok për një periudhë 12-mujore. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe u njoftua nga Ministrja Ogerta Manastirliu ku sipas saj mbyllja do të bëhet brenda 1 jave.
“Duke marrë faktet dhe gjithashtu elementët të cilët për ne ka patur rëndësi maksimale dhe që lidhen drejtpërdrejtë me sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve në mjedisin dixhital kemi rekomanduar pikërisht mbylljen apo kufizimin e aksesit për platformën Tiktok. Ky kufizim aksesi do të jetë deri në një periudhë 12 mujore”, tha Ogerta Manastirliu.
Manastirliu nënvizoi se kanë nisur bisedimet me kompaninë Tiktok që pas 12 muajsh kur platforma të hapet të merren të gjitha masat për aplikimin e filtrave të sigurisë.
“Marrjen e masave të mëtejshme, duke filluar nga filtrat për sa i përket moshës së aksesit në platformën Tiktok nga filtrat në lidhje me kontrollin prindëror dhe gjithashtu sa i përket filtrave të domosdoshëm në lidhje me të gjithë aspektet të komunikimit edhe në gjuhën shqipe”, tha Manastirliu.
Pas vendimit për mbylljen e rrjetit social Tik-Tok ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama i cili thekson se ky hap është marrë pas konsultimeve që janë kryer me 65 mijë prindër e mësues të shkollave tona.
“Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, ka shkruar Rama në Twitter.
Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e…
— Edi Rama (@ediramaal) March 6, 2025
Ideja për mbylljen e TikTok u bë i ditur nga qeveria në Dhjetor të 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij në Tiranë, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
Klan News