Mbi 20 mijë e 324 shtetas të Kosovës nga diaspora do t’i drejtohen të shtunën kutive të votimit në përfaqësitë e tyre diplomatike për të dhënë votën e tyre për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Të drejtë vote kanë vetëm ata që janë regjistruar paraprakisht në KQZ për këtë formë të votimit, e cila po ndodh për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, ku përfaqësitë diplomatike do të shndërrohen në Qendra të Votimit.

Zgjedhjet do të zhvillohen në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Europë, por edhe në SHBA dhe në Kanada. Ndërkohë në mbledhjen e së premtes së KQZ-së u bë e ditur  se KQZ do të ketë në dispozicion edhe dhomën operative si udhëzues për këto përfaqësi diplomatike.

Në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi, ka theksuar se nuk kanë informata zyrtare për atë se çka ka ndodhur me një pjesë të votave të mërgatës në Zagreb ku është raportuar se ambasadori Martin Berishaj ka tërhequr votat nga posta pa praninë e vëzhguesve.

Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht nuk e dimë ende se çfarë ka ndodhur. Kjo mbetet të vërtetohet në fazat e mëtejshme. Anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, këtë informacion e quajti të pavërtetë.

“Le t’i tregohet publikut se ato 10-20 zarfe sa kanë mundur me qenë janë tërhequr për shkak të presionit të postës që e ka pasur për t’i tërheqë. E janë tërhequr prej ekipeve të autorizuara. Le t’i tregohet publikut se ndoshta në kohën kur janë bërë këto tërheqje, në periudha të ndryshme, nga 2-3 zarfe, nuk kemi pasur as vëzhgues e nuk kemi pasur ndoshta as procedura, as komunikim të vazhdueshëm.”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të enjten se ka nisur hetime pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në procedurën e transportimit të votave.

Tv Klan