Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule pretendon se janë shtuar në mënyrë artificiale 311 zgjedhës në listat e votimit për zgjedhjet e sotme për kryebashkiak të Himarës.

Vangjel Dule: Që para nisjes së fushatës zgjedhore, kandidati i mazhorancës me zë dhe figurë pohoi publikisht se ka transferuar gjendjen civile të disa qytetarëve që nuk janë banorë të Himarës me qëllim që të mbrojë votën e tij. Janë gjithsej 311 zgjedhës që janë shtuar në listat e zgjedhjeve të sotme, krahasuar me listat e zgjedhjeve të Majit 2023. Është shtuar në mënyrë artificiale me 311 zgjedhës, nga të cilët 93 ka indicie se janë regjistruar, ose kanë transferuar gjendjen civile edhe përtej kohës. Nuk kemi asnjë veprim nga ana e SPAK.

Më tej, gjatë prononcimit të tij për mediat, Dule shprehet se në këto zgjedhje janë mbi 25% e zgjedhësve që u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mosnxjerrjen e vendimit nga qeveria për të votuar me karta identiteti apo pasaporta që ju ka kaluar data e skadencës. Dule shton se janë mbi 600 qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe nuk janë lejuar që të votojnë duke qenë se kanë pasur ID e skaduar.

Vangjel Dule: Në këto zgjedhje, plot 6 mijë e 157 zgjedhës nga gjithsej 23 mijë e 74 zgjedhës, mbi 25 % u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mosnxjerrjen e vendimit nga qeveria për të votuar me karta identiteti apo pasaporta që ka kaluar data e skadencës. Shifrat tona tregojnë se janë mbi 600 qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe u është refuzuar në procesin zgjedhor. Duke qenë i njëjti mandat, nuk duhej vendim i ri për të ju dhënë zgjedhësve mundësinë për të marrë pjesën në votime. Me 311 zgjedhës të importuar në Himarë nga Tavo, plus 600 zgjedhës që deri tani ju është privuar e drejta e votimit, kandidati i PS ka hyrë me plus 1 mijë vota, krahasuar me atë të opozitës.

Dule e ka quajtur procesin e votimit të sotëm në Himarë “kufomë të zgjedhjeve të lira në Shqipëri”, të cilës ka thënë se do i bëjnë autopsinë./tvklan.al