Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur ditën e sotme rreth orës 08:30. I pranishëm në këtë mbledhje që zgjati rreth 30 minuta ishte dhe kryesocialisti, Edi Rama.

Në këtë mbledhje morën pjesë edhe ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, Ervin Hoxha (ministër i Brendshëm), Petrit Malaj (ministër i Financave), Pirro Vengu (ministër i Mbrojtjes).

Emrat e ministrave të rinj u njoftuan nga kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet dhe dekreti i Presidentit Begaj.

Në mbledhjen e sotme, Rama kishte një prezantim më nga afër me anëtarët e rinj të kabinetit të qeverisë. Ndërkohë, kjo është mbledhja e parë që Niko Peleshi zhvilloi me grupin parlamentar të PS-së, si kryetar i këtij grupi.

Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli raporton se gjatë mbledhjes, Rama ka pasur kritika ndaj disa deputetëve, për të cilët ka thënë që nuk kanë përmbushur detyrën e tyre dhe ju ka kërkuar angazhim në terren dhe në jetën parlamentare.

Ndërkohë, është shtyrë për një moment të dytë seanca e posaçme plenare që ishte parashikuar që të mbahej ditën e sotme në orën 18:00 për miratimin e emrave të rinj të kabinetit qeveritar.


Ministria e Brendshme  – Largohet Taulant Balla, vjen Ervin Hoxha

Ministria e Financave – Largohet Ervin Mete, vjen Petrit Malaj

Ministria e Mbrojtjes – Largohet Niko Peleshi, vjen Pirro Vengu

Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Largohet Elisa Spiropali, vjen Taulant Balla


Foto: Ministrat që u larguan
Foto: Ministrat që vijnë