Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë ndaj 9 anëtarëve të grupit kriminal që drejtohej nga Laert Haxhiu. Ata akuzohen për vepra të rënda penale si vrasje, vendosje eksplozivi dhe grabitje.

Në një njoftim zyrtar SPAK thotë se ata janë përgjegjës për 5 vrasje, 4 vendosje tritoli në banesa dhe biznese dhe 3 vjedhje me dhunë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Laert Haxhiu e nisi aktivitetin e tij kriminal si hakmarrje për vrasjen e djalit të xhaxhait të tij, Klodian Haxhiu. Ai mendonte se ky krim u krye nga anëtarë të bandës së Alo Bares. Grupi i Haxhiut u zbulua nga bashkëpunimi i Artan Tafanit me drejtësinë pas arrestimit të tij si autor i një grabitje në Astir.

SPAK thotë se ka dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupimi të strukturuar që është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në maj të vitit 2023, kur dhe arrestohet në Greqi, drejtuesi Laert Haxhiu.

SPAK po vijon hetimet më vete për Laert Haxhiun pasi dyshohet se ai është përfshirë në aktivitete të tjera kriminale.

Klan News