Ndërkohë që në disa qytete të vendit vijon procesi i votimit në referendumin për të ratifikuar vendimin e shkarkimit të Lulzim Bashës, për shkak të fluksit të votuesve, në disa qytete të tjera ka përfunduar procesi i votimit dhe i numërimit.
Gazetarja Daniela Zisi ka raportuar se në Pogradec rezulton se 502 anëtarë të PD-së kanë votuar pro shkarkimit të kreut të PD-së. 5 vota kanë rezultuar kundër ndërsa 3 të tjerëve vota u është shpallur e pavlefshme.
Në Kolonjë, anëtarët që kanë votuar kanë pasur një mendim unanimish për shkarkimin e Bashës. “404 vota pro shkarkimit, 0 kundër, 0 të pavlefshme”, raporton gazetarja se është rezultati në Kolonjë.
Referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës është organizuar nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së. Ky komision i ngritur në Kuvendin e 11 Dhjetorit nuk njihet nga Basha. Ky i fundit ka mbledhur ditën e sotme Kuvendin Kombëtar ku ndër të tjera është miratuar propozimi i Kryesisë për të lënë jashtë strukturave të PD të shpallurit non grata nga SHBA./tvklan.al