Këto janë pamjet nga operacioni i forcave RENEA, FNSH dhe policisë së Pogradecit, zhvilluar mëngjesin e së premtes, ku në fokus ishin kapja e personave të shpallur në kërkim. Policia thotë se operacioni nisi nga një tentativë për vrasje me thikë në 11 janar.
Gjatë aksionit u vunë në pranga 6 persona, pasi nga kontrollet atyre iu gjetën dhe sekuestruan, armë zjarri, lëndë narkotike kokainë, shuma parash e sende të tjera të kundërligjshme.
Mes shtëpive të kontrolluara në qytetin e Pogradecit, ishte dhe ajo e Erjon Llapushit. Në banesën e tij nuk u gjet i shumëkërkuar, por as dhe ndonjë send i kundraligjshëm.
Erjon Llapushi është një emër i njohur për policinë dhe më herët është konsideruar si një nga 5 personat më të kërkuar në Shqipëri. Në vitin 2021, në Elbasan ai vrau për motive dobëta kamarierin e një lokali.
Ndërkohë më herët ai ka qenë i skeduar nga uniformat blu, për gjobëvënie, tentativë vrasje, plagosje me dashje, armëmbajtje pa leje etj.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Pogradec u kontrolluan banesat e 28 personave të shpallur në kërkim.
Tv Klan