Një zjarr ra në banesën e një 80-vjeçari në Pogradec mbrëmjen e së shtunës. Policia njoftoi se si pasojë e zjarrit janë përfshirë nga flakët edhe banesa të tjera ngjitur me të.
Uniformat blu nuk japin informacion të qartë se sa shtëpi janë përfshirë nga zjarri, por më herët gazetarja Daniela Zisi mësoi se bëhet fjalë për të paktën dy të tilla.
Aktualisht zjarrfikësit dhe policia kanë ndërhyrë duke evakuuar banorët. Fatmirësisht nga ngjarja ka vetëm dëme materiale ndërsa qytetarët që jetojnë aty janë evakuuar të gjithë.
Policia thotë se ndërkohë po vijon puna për neutralizimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e plotë në banesat e përfshira nga flakët.
“Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit”, njoftoi policia.
Ndërkohë një banor i zonës ka thënë se kanë frikën e përhapjes së zjarrit edhe në banesat e tjera.
“Frika është. Fryn një erë, ato shkëndija janë. Sidomos pallatet që kemi ne me dërrasa janë, me trarë. Një shkëndijë mori, ajo është barut”, tha një qytetar.
Informacioni paraprak i policisë
Rreth orës 21:25, në lagjen nr. 4 Pogradec, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. B., 80 vjeç. Si pasojë e zjarrit, janë përfshirë dhe banesat ngjtur me banesën që ra fillimisht zjarri.
Shërbimet Policisë dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëhere për evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e zjarrit. Nga rënia e zjarrit ka vetëm dëme materiale, ndërsa banorët janë evakuuar të gjithë.
Vijon puna intensive për neutralizimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e plotë në banesat e përfshira nga flakët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit./tvklan.al