Termocentrali i fundit me qymyr në Mbretërinë e Bashkuar mbylli dyert këtë të hënë. Ai nisi të funksiononte që në vitin 1967. Ky hap është një moment historik në ambicien e Londrës për të hequr dorë nga karburantet fosile.
Mbretëria e Bashkuar bëhet vendi i parë i G7 që shkëput varësinë nga përdorimi i qymyrit për të prodhuar energji elektrike.
Italia ka vendosur si një afat për ta bërë këtë në vitin 2025, Franca në 2027, Kanadaja në 2030 dhe Gjermania në 2038. Japonia dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë shpallur ende një datë të saktë.
Me herët shkencëtarët kanë deklaruar se përdorimi i lëndëve djegëse fosile duhet të frenohet për të përmbushur objektivat e vendosura nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që përdori qymyrin për prodhimin e energjisë elektrike, me termocentralin e parë në botë të ngritur në Londër në vitin 1882.
Klan News