“Është mbyllur testi tek Mjekësia e Përgjithshme. Këtë vit në garë janë mbi 2 mijë kandidatë”.
Ndërkohë që prej këtyre kandidatëve fitues do të shpallen 436 maturantë pasi kaq janë kuotat e pranimit.
Testi i informatizuar përbëhet nga 50 pyetje nga lëndët Biologji, Fizikë dhe Kimi. Dhe në total nga ky test maturantët marrin 30 % të pikëve, ndërsa pikët e tjera i marrin nga nota mesatare e gjimnazit dhe provimet e Maturës Shtetërore.
Rezultatin e pikëve kandidatët e marrin menjëherë sapo përfundojnë testimin. Dhe sipas tyre testi ishte i një niveli mesatar.
Studentët e rinj që fitojnë të drejtën e studimit në Mjekësi të Përgjithshme, do të duhet të firmosin një kontratë paraprake me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Arsimit, sepse me ligjin e ri të trajtimit të studentëve të Mjekësisë, ata duhet që pas studimeve të punojnë tre vite në sistemin shëndetësor publik, sipas nevojave që ka vendi. Por maturantët që ishin në garë thanë se nuk kanë informacion në lidhje me këto procedura të reja.
Universiteti i Mjekësisë do të bëjë renditjen finale të konkurrentëve në bazë dhe të pikëve nga nota mesatare dhe listat do të shpallen më 25 Gusht pranë faqes online të Fakultetit të Mjekësisë.
Në total në garën për të fituar një të drejtë studimi për vitin akademik 2024-2025 kanë aplikuar 19,700 maturantë.
Fituesit në të gjitha universitete publike dhe private do të shpallen më 27 Gusht. Ndërsa regjistrimi pranë sekretarive mësimore do të bëhet nga data 30 Gusht, deri më 13 Shtator.
Klan News