Miratohen 270 kuota. Shëndetësia redukton me 27% kuotat e mbuluara, sektori publik në nevojë për mjekë familje dhe urgjence
“Universiteti i Mjekësisë ka reduktuar me rreth 20% kuotat e specializimeve në fushën e mjëkësisë, por rënien më të ndjeshme të kuotave e kanë ata që janë të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë e cila këtë vit nga 140 kuota që kishte vitin e kaluar këtë vit ka kërkuar vetëm 100 kuota”
Senati akademik i universitetit të Mjekësisë ka miratuar në total 272 kuota për specializimet afatgjata në fushën e Mjekësisë duke pësuar një ulje me 18% në krahasim me vitin e shkuar, që ishin 330 kuota pranimi.
Por uljen më të ndjeshme të pranimeve e kanë kuotat e mbuluara nga ministria e Shëndetësisë, e cila këtë vit ka kërkuar vetëm 102 specializantë, duke i reduktuar me 27% pranimet në krahasim me vitin e shkuar. Ky reduktim i kuotave tregon se shërbimi shëndetësor publik nuk ka shumë nevojë për mjek specialist. Ndërkohë që vetëm pak muaj më parë qeveria miratoi një ligj për të kushtëzuar qëndrimin e detyrueshëm të studentëve të Mjekësisë në vend për shkak të mungesës së bluzave të bardha.
Kandidatët që garojnë për kuotat e mbuluara të specializimeve nga shteti bëjnë kontratë me ministritë përkatëse, dhe studimet u paguhen nga minstritë, me kushtin që pas specializimeve të punojnë tre vite ku ka nevojë ministria.
Sipas vendimit të senatit akademik, nga 37 fusha specializimi, numrin më të lartë të kuotave e kanë specializimet në Mjekësi familje me 30 kuota, më pas vijon mjekësi urgjence si dhe Anestezi –Reanimacion me nga 20 kuota secila. Nevojën më të madhe për mjek specilistë në sektorin publik, ministria e Shëndetësisë e ka pikërisht për këto specializime, mjekësi familje, mjekësi urgjence dhe anstezi reanimator, të cilët përbëjnë mbi 60% të kuotave të mbuluara.
Ndërkohë fushat e tjera të specializimeve që kanë më shumë vende janë kirurgji e përgjithshme dhe padiatri me nga 16 kuota secila, dhe më pas janë fushat kardiologji dhe obstetri-gjinekologjie me nga 10 kuota secila, ndërsa të gjitha fushat e tjera kanë vetëm nga 5 kuota pranimi dhe shumica e tyre janë te kuotat e pambuluara.
Tarifa e aplikimi dhe konkurrimit është 5 mijë Lekë. Kandidatët do t’i nënshtrohen testit të informatizuar. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet me sistemin e 1000 pikëve, nga ku 30% të pikëve i fiton nga nota mesatare dhe 70% të pikëve i marrin nga testi i informatizuar.
Kandidatët në bazë të pikëve të fituara bëjnë përzgjedhjen e programit të specializimit. Tarifa vjetore e shkollimit për specializimet afatgjata mbetet e pandryshuar, 115 mijë Lekë në vit.
Klan News