Nisin regjistrimet në universitetet e vendit. Në Fakultetin e Mjekësisë ka fluks aplikimesh. Në këtë fakultet janë shpallur fitues 436 kandidatët.
Kandidatët e shpallur fitues, kanë afat për t’u regjistruar deri më 31 gusht, pasi pas plotësimit të 48-orëve, vija e kuqe spostohet. Dhe ata që nuk regjistrohen e humbasin të drejtën e studimit ndërsa vendi bosh i kalon kandidatit poshtë vijës. Kjo është dhe arsyeja që në Fakultetin e Mjekësisë ka rradhë, pasi pothuajse të gjithë ata që shpallen fitues regjistrohen.
“Po presim të regjistrohemi, ka goxha interes.”
“Na dhanë nga një formular pasi bëmë pagesën te banka ose në postë, në varësi të numrit që kemi do paraqitemi për regjistrimin.”
Kandidatët shprehen të kënaqur për rezultatet dhe thonë se Mjekësinë e kanë pasur preferencën kryesore.
“Po një ëndërr e realizuar! Jemi me numër secili, kështu që duhet të presim…”
Ndërkohë që edhe në universitet dhe fakultetet e tjera, vijon rregullisht procesi i regjistrimit. Në Fakultetin e Ekonomisë, zv.dekania sqaron maturantët se pas mbarimit të fazës së parë do të spostohet vija e kuqe, ndaj maturantët të mos nxitohen të regjistrohen diku tjetër.
Etleva Bajrami, zv.dekane e Fakultetit të Ekonomisë: Vijon të mbetet një nga fakultetet më të kërkuara, mbi 40% e gjimnazistëve kanë aplikuar pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe degët më të preferuara vijojnë të jenë Financa e Informatika Ekonomike. Në këtë fakultet edhe sikur të gjithë kandidatët të regjistrohen, na mbeten 270 kuota të lira sepse i njëjti aplikant është shpallur fitues në dy apo më shumë degë.
Për të fituar një të drejtë studimi në universitet kanë kanë aplikuar 19600 maturantë. Regjistrimet e fituesve në raundin e parë bëhen nëpërmjet 7 fazave 48-orëshe, dhe mbyllen më 13 shtator.
Klan News