Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kërkesës që TikTok ka bërë nëpërmjet mediave ndërkombëtare për një sqarim nga qeveria shqiptare për vendimin drastik të mbylljes së kësaj platforme në Shqipëri. Kreu i qeverisë thotë se vendimi nuk është i nxituar pas një ngjarjeje të izoluar, por i këshilluar me prindër të fëmijëve në shkollat shqiptare.
“TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë.”
Kryeministri ka shkuar më tej duke replikuar në distancë me zëdhënsin e kësaj platforme i cili tha se dy adoleshentët e shkollës “Fan Noli” nuk e kishin nisjen e konfliktit në TikTok.
“Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.”
Rama kujtoi se TikTok duhet t’u shërbejë fëmijëve dhe nuk duhet të ndodhë e kundërta.
“Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku.”
Lajmin për mbylljen e TikTok për një periudhë 1-vjeçare, kryeministri e konfirmoi të shtunën në takimin përmbyllës të Këshillimit Kombëtar me mësuesit e prindërit për masat ndaj TikTok dhe sigurinë e fëmijëve në tërësi. Rama bëri të ditur se për një vit, duke filluar nga fillimi i 2025-ës, TikTok do të mbyllet plotësisht për të gjithë.
Tv Klan