“Marshi ynë vazhdon! Duhet të vazhdojmë përpara dhe ambicia jonë është të hapim më shumë grup-kapituj, shpresojmë në pranverë, dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me grup-kapitujt e hapur.”
Me këtë optimizëm, Edi Rama dhe ekipi negociator u ulën në Bruksel në Konferencën e tretë Ndërqeveritare. Fiks 2 muaj pas asaj të Luksemburgut ku u hapën kapitujt e parë të negocimit të njohura si “themeloret”, Shqipëria nisi negocimin e Grupkapitullit të VI “Marrëdhëniet me jashtë”, që përfshin kapitujt negociues 30 dhe 31, përkatësisht “Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”.
Për ministrin e jashtëm hungarez Péter Szijjártó, vend që mban presidencën e radhës së unionit, gjithmonë është me vend të kritikohet kupola drejtuese e BE-së për ritmin që ka ndjekur për integrimin e Ballkanit Perëndimor. E këtu nënvizon faktin se vendi i tij në kaq pak muaj ka bërë kaq shumë për të shtyrë këtë proces për rajonin dhe Shqipërinë në veçanti për të cilën thotë se ka bëra hapat e duhur për ta merituar progresin.
“I detyrohemi një farë respekti këtyre vende dhe ky proces i ka patur datat e shtyra në mënyrë konstante dhe nuk ishte asgjë tjetër përveçse bllokimit që prej gati 15 vite nuk kemi parë as marrjen e masave as hapa të rëndësishëm përpara drejt zgjerimit. Do donim që të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të jenë pjesë e BE. Në 6 muajt e fundit ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për të përshpejtuar procesin e zgjerimit për Shqipërinë. Themeli i negociatave filloi vetëm këtë vit në konferencën hungareze, kemi pasur dy konferenca ndërqeveritare, dy grupkapituj janë hapur dhe kjo shpejtësi është e paprecedentë. Më shumë ka ndodhur në 2 muajt e fundit se në 15 vitet e kaluara.”
Vetëm 2 javë në këtë detyrë, edhe Komisionerja e re e Zgjerimit është optimiste si vetë autoritetet shqiptare që negociatat do të përfundojnë brenda mandatit të saj.
“Me shumë shpresë mbyllja e negociatave do të ndodhë brenda mandatit tim 5-vjeçar. E vlerësoj angazhimin e shteteve anëtare të BE, ky vendim si sotëm është sinjal për Shqipërinë dhe Ballkani se zgjerimi është prioritet për BE.”
Për kryeministrin, prioriteti është i qartë.
“Ambicia jonë nuk është sekret. Ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027, me shpresë që anëtarësimi ynë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade. Është thelbësore për ne, duke mos harruar dhe pa nënvlerësuar parimin në bazë të meritave dhe ky parim për ne është shumë i rëndësishëm se do të na ndihmojë të bëjmë detyrat tona të shtëpisë aq mirë sa të jetë e mundur për hatrin tonë.”
Kur pyetet, Rama e bën të qartë se për të nuk ka një ndarje të kapitujve që negociohen më lehtë ose më vështirë për t’u përmbyllur kur ulen në tryezë me BE.
“Nuk ka kapitull apo ndonjë paragraf që është i lehtë me BE, çdo gjë duhet të kalojë në një shqyrtim të hollësishëm. Kur i gjithë sistemi punon si një garantues për demokracinë dhe sundimin e ligjit, çdo gjë tjetër funksionon. Për këtë grup-kapitull nuk është fort i vështirë, se Shqipëria ka qenë gjithmonë në harmoni me politikat e BE sa i përket diplomacisë, sigurisë. Edhe vetë shqiptarët janë mbështetës për këto lloj politikash. Nuk ka kthim pas, ka vetëm rrugë para dhe ne duhet t’i japim shqiptarëve atë çfarë po presim që nuk besoj të jetë diçka që po presim me dekada, por me shekuj.”
Në 15 Tetor vendi ynë hapi negociatat për 5 kapitujt e njohura si grupkapitulli i “Themelorëve”. Në total janë 6 grupkapituj. Shqipëria ka hapur grupkapitullin e parë dhe të fundit ndërsa sipas planit kombëtar të integrimit deri në fund të vitit të ardhshëm do të hapen dhe grupimet e tjera. Grupimi i II: tregu i brendshëm; grupimi III: konkurueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; grupimi IV: axhenda e gjelbër dhe konektiviteti i qëndrueshëm; grupimi V: burimet, bujqësia dhe kohezioni.
Tv Klan