Këto janë pamjet e një aksidenti të ndodhur mesditën e së martës, në by pass-in e Rrugës së Arbrit, në Dibër. Për shkaqe momentalisht të paqarta, shoferi i këtij furgoni pasagjerësh humb kontrollin e del nga rruga duke u batuar në anë. Për pasojë mbetën të dëmtuar pasagjerët që ndodheshin në këtë mjet, njëri prej të cilëve vijon të jetë në spital.
Pamjet tregojnë qartë se furgoni ishte i vetëm në rrugë kur ndodhi ngjarja. Ndryshe nga sa tha shoferi në polici. 55-vjeçari nga Tirana, i cili u vu në pranga, u tha efektivëve se shkak për aksidentin ishte bërë një makinë tjetër që i kishte prerë rrugën…
“Specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin A. L., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”. Mesditën e djeshme, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit, furgoni që drejtonte 55-vjeçari (automjet për transport ndërqytetas të qytetarëve) ka dalë nga rruga dhe si pasojë janë dëmtuar pasagjerët në këtë automjet”.
Njëri nga të dëmtuarit vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të tjerët pasi kanë marrë shërbimin mjekësor, janë larguar në banesa. Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale për aksidentin, shtetasi A. L. ka dhënë deklarim të rremë, se një automjet tjetër i kishte ndërprerë rrugën dhe ishte bërë shkak për këtë aksident”, tha policia e Dibrës në një njoftim për mediat./tvklan.al