Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale “Sy m’Sy”, Kryeministri Rama ka zgjedhur të ju përgjigjet disa pyetjeve të tyre përmes një videoje direkte. I pyetur për projektet në infrastrukturë, Kryeministri Rama ka thënë se së shpejti do të jetë funksionale hekurudha Tiranë-Durrës.

Edi Rama: Para se të vinim tek trenat, duhet të dilnim nga gropa e madhe ku e gjetëm vendin në 2013-ën, duhet të dilnim nga pragu i kolapsit energjetik, duhet të dilnim nga gjithë ai zinxhir borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit. Sot, po i ndërtojmë dhe hekurudhat. Së shpejti hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë funksionale. Na është dashur kohë e gjatë për shkak dhe procedurave të gjata burokratike. Kemi në sistem dhe projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe Durrës-Hani i Hotit dhe projektin e Korridorit të 8, Durrës-Pogradec. Të gjitha këto janë në proces, por është dashur koha për t’i vënë të gjitha në rrugë.

Në lidhje me Rrugën e Arbrit, Kryeministri Rama është shprehur se është drejt përfundimit.

Edi Rama: Rruga e Arbrit, po insistojmë të mbarojë dhe do të mbarojë. Siç e kemi shpjeguar, problemi i madh i Rrugës së Arbrit ka dalë në tunelin e Murrizit, ku një gjeologji e pafavorshme, ka bërë që të ndryshojë komplet qasja teknologjike dhe i gjithë tuneli të armatohet totalisht me hekur shumë më përtej asaj që ishte parashikuar sepse ka pasur shumë prurje uji, por jemi afër përfundimit. Të gjithë ata që u bënë syri i keq i kësaj rruge, do të zhgënjehen sepse Rruga e Arbrit së shpejti do të përfundojë dhe do të jetë në dispozicion të popullit të Dibrës.

/tvklan.al