Në tre vitet e fundit në Shqipëri janë regjistruar afro 3800 aksidente rrugore.
Viti që lamë pas shënoi 10 % më shumë aksidente së viti 2022. Në 86,4 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit dhe 13,6 % si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.
Shqetësim në numrin e lartë të aksidenteve përbëjnë shoferët e vjetër.
“Shumica e aksidenteve rrugore në Shqipëri ndodhin nga drejtuesit e automjeteve me mbi 9 vite eksperiencë në drejtimin e automjetit. Të dhënat bëhen të ditura nga Instituti i Statistikave”, thotë gazetarja Erikleda Dorezi.
Kjo kategori ka shkaktuar 40 % të aksidenteve, e ndjekur nga kategoria 6-9 vjet leje drejtimi që zë 18,8 %.
Për ekspertët e sigurisë rrugore, kjo tendencë e shoferëve të quajtur të vjetër në drejtim lidhet me vetëbesueshmërinë e tepruar në njohjen e automjetit.
“Vet aksidenti është produkt i besueshmërisë së tepruar. Pasi kalojnë 5 vite në drejtim, rritet kjo besueshmëri e tyre. Ndërsa tek grupmoshat e vjetra kjo ulet, sepse rritet kujdesi në maksimum, ndërsa brezi i ri kur ka 5-7 vite ecën me shpejtësi, i merr kthesat shpejt dhe përmbyset”, shprehet eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha.
Gjatë vitit 2023, në aksidente janë përfshirë 1731 persona. Ndërsa vdekshmëria në ngjarjet rrugore ka rezultuar në 14,9 për 100 aksidente.
Tv Klan