Shqipëria, një nga sekretet më të ruajtura të Evropës, do të jetë destinacioni i preferuar për udhëtarët për këtë verë.
Kështu shkruan revista spanjolle “OkDiario” që thotë se vendi ynë ofron një kulturë dhe histori unike, si dhe plazhe që rivalizojnë ato më parajsorët në botë. Ajo që vërtet e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera është fakti se mbetet një thesar i paeksploruar, gjë që e bën atë një destinacion të lirë për pushime.
Vizitorët mund të shijojnë kuzhinën shqiptare me çmime mjaft të favorshme. Akomodimi, dhomat në shtëpi pushimi, por edhe hotelet ofrojnë opsione mjaft të përballueshme. Kjo media rendit edhe vendet më interesante që turistët e huaj nuk duhet të humbasin.
Berati, i pozicionuar më pak se dy orë larg kryeqytetit të Shqipërisë, është një destinacion i famshëm turistik i njohur nga UNESCO si një sit i Trashëgimisë Botërore. Me një histori që përfshin më shumë se 2000 vjet, ky qytet përfaqëson një vatër ku shkrihen disa kultura, të dëshmuara nga gjurmë të qytetërimeve të ndryshme thuhet në artikull.
Kjo media veçon edhe Gjirokastrën, e përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që shquhet për arkitekturën tradicionale osmane. Me historinë dhe veçantinë e saj, qyteti i gurtë tërheq vizitorët me trashëgiminë e pasur kulturore dhe unike.
Kruja, e vendosur 30 kilometra larg nga Tirana, është një qytet tjetër i rekomanduar. Në qytetin ku lindi heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ndodhet një kështjellë që ofron pamje panoramike të qendrës historike.
Në fund të shkrimit nënvizon se Shqipëria ka një pasuri natyrore të admirueshme, e cila konkurron me vendet fqinje dhe këtë e dëshmon qartë Riviera Shqiptare. Me një shtrirje bregdetare prej më shumë se 100 kilometrash këtu ndodhen plazhe me bukuri magjepsëse dhe të jashtëzakonshme.
Klan News